Fokusi i podcastit “Flasim” ishte Shqipëria në sytë e një britaniku që ka zgjedhur të jetojë këtu. I ftuar ishte Karl Roberts, shtetas nga Mbretëria e Bashkuar dhe mik i kryeministrit Edi Rama.
Me një karrierë 40-vjeçare në industrinë e naftës, e ndarë në disa shtete të botës, si Kazakistani, Singapori, Burma, Trinidad-e-Tobago dhe Australia, Roberts ndan me ne arsyen se përse zgjodhi Shqipërinë si vendin ku do të jetonte.
Duke treguar se kalon pjesën më të madhe të kohës në Shqipëri, Roberts shprehet se ajo që e ka tërhequr më shumë është jeta në komunitet dhe lidhja e fortë me familjen, diçka që, sipas tij, nuk e gjen më në qytetin industrial pranë Mançesterit në Britani.
Për më tepër, Roberts i bën thirrje çdo shqiptari të mendojë mirë për largimin nga Shqipëria. Sipas tij, turizmi dhe siguria janë disa nga pikat më të forta që ofron vendi, i cili, siç thekson ai, “po zhvillohet shumë”. Ai e përmend turizmin si një mundësi të madhe dhe shton se industria e turizmit në Britaninë e Madhe ka pasur një rritje të konsiderueshme interesimi për Shqipërinë.
Kryeministri Rama gjithashtu e theksoi se Shqipëria ka një përparësi në siguri, duke e krahasuar me qytetet e mëdha si Londra, Berlini dhe Parisi, duke shpjeguar se shumë të huaj janë të lumtur me sigurinë që ofron Shqipëria, ndërkohë që shumë shqiptarë ende kanë dyshime për të qëndruar në vend.