Hashim Thaçi dhe Bashkim Smakaj kanë kohë edhe tri javë për t’u deklaruar nëse e pranojnë fajësinë ose jo për akuzat për pengim të drejtësisë, që janë konfirmuar së fundmi.
Megjithatë, ata mund ta bëjnë këtë edhe të martën, kur pritet të mbahet një seancë ku do të diskutohet për hapat drejt gjykimit për këtë rast.
Javën e ardhshme, Hashim Thaçi, Bashkim Smakaj, Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi do të dalin sërish në gjykatë për Dhomat e Specializuara për Kosovën në Hagë, për akuzat për pengim të drejtësisë.
Gjyqtarja e procedurës paraprake ka caktuar që të martën të mbahet një konferencë mbi ecurinë e çështjes, ku do të diskutohen hapat për shkëmbimet midis palëve dhe përgatitjet për gjykim.
Në këtë seancë, ish-presidenti Hashim Thaçi dhe ish-shefi i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bashkim Smakaj, do të kenë mundësinë të deklarohen për pranimin ose jo të fajësisë.
“Sa i përket pranimit ose jo të fajësisë, të pandehurit kanë të drejtë ta bëjnë këtë në afat prej 30 ditësh nga momenti i paraqitjes për herë të parë në Gjykatë”, ka theksuar avokati Ardian Bajraktari për RTV Dukagjinin.
Në seancat e paraqitjes së parë, Hajredin Kuçi, Fadil Fazliu dhe Isni Kilaj nuk kanë pranuar fajësinë dhe kanë mohuar akuzat e prokurorisë së specializuar.
Përveç Kuçit, që është në liri, Thaçi ndodhet në paraburgim që nga viti 2020. Të tjerët kanë kërkuar lirim me kusht pas arrestimit, por Gjykata u ka caktuar masën e paraburgimit.
“Tani, ne nuk kemi shumë detaje mbi arsyetimin dhe provat në propozimet e prokurorisë, dhe sigurisht që Gjykata i ka shqyrtuar dhe ka marrë një vendim bazuar në kushtet dhe ligjin, duke ofruar masat adekuate”, ka thënë Amer Aliaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare.
Gjykata Speciale ka konfirmuar së fundmi aktakuzën e re ndaj Thaçit dhe të tjerëve për pengim të drejtësisë, duke zbuluar identitetin e dëshmitarëve të mbrojtur, që ishin pjesë e rastit ku ish-krerët e UÇK-së akuzohen për krime lufte./showks.info