Sipas një studimi të ri, injeksionet javore të semaglutidit, si Ozempic, mund të ndihmojnë në reduktimin e rrezikut të komplikimeve serioze nga sëmundjet e veshkave, problemeve kardiovaskulare dhe vdekjes te individët që kanë diabet të tipit 2 dhe sëmundje kronike të veshkave.
Ky trajtim duket se ka ndikim pozitiv edhe tek veshkat, sipas hulumtimeve të fundit. Diabeti është një faktor kryesor rreziku për zhvillimin e sëmundjeve të veshkave, të cilat janë ndër shkaqet më të zakonshme të vdekjeve në SHBA dhe në mbarë botën. Sipas Qendrës Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, një në tre persona me diabet ka gjithashtu sëmundje kronike të veshkave.
Hulumtimet e reja tregojnë se injeksionet javore të semaglutidit reduktojnë rrezikun e sëmundjes së veshkave diabetike me rreth 24%. Pjesëmarrësit e studimit që morën semaglutid kishin më pak raste të humbjes së funksionit të veshkave, dështimit të tyre dhe vdekjes nga shkaqe renale ose kardiovaskulare, krahasuar me ata që morën placebo.
Për më tepër, funksioni i veshkave ra më ngadalë te ata që morën semaglutid dhe kishte një ulje prej 18% të rrezikut të ngjarjeve të mëdha kardiovaskulare, si sulmet në zemër, dhe një ulje prej 20% të rrezikut të vdekjes nga çdo shkak krahasuar me ata që morën placebo.
Ky studim sugjeron se semaglutidi mund të ketë përfitime të rëndësishme për ata që vuajnë nga diabeti dhe sëmundjet e veshkave, duke përfshirë përmirësime të funksionit të veshkave dhe zvogëlimin e rrezikut të komplikimeve kardiovaskulare dhe vdekjes.