Policia e Kosovës ka bërë apel për kujdes ndaj përdorimit të platformës TikTok, ku kohëve të fundit po qarkullojnë sfida të rrezikshme që përfshijnë të rinjtë dhe fëmijët.
Në një njoftim në Facebook, Policia ka ftuar qytetarët që të raportojnë çdo sfidë të këtij lloji, me qëllim parandalimin e pasojave të rënda që mund të shkaktojnë realizimi i tyre.
“Policia e Kosovës, Drejtoria e Policimit në Bashkësi dhe Parandalim apelon për kujdes të shtuar në përdorimin e rrjeteve sociale, veçanërisht ndaj platformës TikTok, ku herë pas here publikohen sfida për të rinjtë dhe fëmijët, që mund të kenë pasoja në shëndetin dhe jetën e tyre,” thuhet në njoftim.
Policia i ka bërë thirrje qytetarëve që të jenë vigjilentë dhe të raportojnë rastet e tilla për të shmangur rreziqet.
“Të dashur fëmijë dhe prindër, kujdesi në botën virtuale është po aq i rëndësishëm sa ai në jetën reale. Mos u mashtroni nga ajo që shihni në rrjetet sociale dhe mos bëni pjesë në lojëra që rrezikojnë jetën. Bisedoni hapur me prindërit dhe mësuesit tuaj – vetëm së bashku mund të mbrojmë veten dhe të tjerët,” përfundon apeli i Policisë.