Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se sot është një ditë e rëndësishme për Kosovën, pasi që do të prezantohen rezultatet e para përfundimtare nga regjistrimi i popullsisë, që është realizuar përgjatë shtatë javëve nga 5 prilli deri më 24 maj të këtij viti.
Kurti ka thënë se publikimi në një kohë krejtësisht rekorde përbën një komponentë shtesë, pasi që statistikat cilësore marrin kohë, e statistikat në kohë janë me vlerë shumë të madhe.
“Regjistrimi i fundit u krye në vitin 2011, mjaftueshëm kohë për t’u bërë pjesë e kujtimeve historike, por tani falë standardeve të avancuara dhe teknologjisë kemi një pasqyrë të saktë të realitetit tonë dhe një bazë të re për të zhvilluar e ndërtuar të ardhmen tonë të përbashkët”, tha Kurti.
Kryeministri shtoi se regjistrimi i popullsisë është më shumë sesa mbledhje e statistikave, është pasqyrë e qartë e realitetit tonë se kush jemi, ku jemi, sa jemi, si jemi dhe si mund të ecim përpara.
“Të dhënat e regjistrimit janë thelbësore. Ato përfaqësojnë bazën për të hartuar dhe zhvilluar politika të cilat i adresojnë nevojat reale të qytetarëve të republikës.
Janë më shumë se numra, përtej të dhënave në formën e shifrave, pasi që janë pasqyra e realitetit tonë dhe njëkohësisht edhe busulla e cila na drejton drejt së ardhmes duke u bazuar në evidencë dhe fakte”, tha Kurti. /Showks.info/