Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka refuzuar të komentojë lidhur me ftesën e bërë nga Prokuroria Speciale, ku ai është thirrur për të dhënë dëshminë e tij.
Pas pjesëmarrjes në promovimin e librit “Të burgosurit e ndërgjegjes: Memoare për politikën, burgun dhe torturën 1945-1999”, Kurti u përgjigj shkurt për gazetarët.
“Do të shkoj në orën 19:30 në një koncert në Sallën e Kuqe”.
Gjatë ditës së sotme, Prokuroria Speciale kishte pritur që kryeministri të paraqitej për të dëshmuar, por zyra e kryeministrit njoftoi se Kurti është në udhëtim jashtë vendit dhe për këtë arsye nuk mund të ishte i pranishëm.
Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, tha se kryeministri është i gatshëm të mirëpresë prokurorët në zyrën e tij në një datë dhe orë të caktuar nga të dyja palët, për të përmbushur kërkesën e Prokurorisë.
Më herët, kryetari i Odës së Avokatëve të Kosovës, avokati Besnik Berisha, njoftoi se kryeministri Albin Kurti është paraqitur në Prokurorinë Speciale në cilësinë e dëshmitarit lidhur me çështjen e rezervave shtetërore.
“Çka nëse u them se kryeministri Kurti sapo përfundoi intervistën në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, a ma besoni a jo?”, tha ai.
“Nejse, mos i ngjitni fjalë djalit se me sytë e mi e pashë. Institucionalist se ç’ke me të”, shtoi ai në një postim në Facebook./showks.info/