Policia e Kosovës në Ferizaj ka njoftuar se ekipet e anti-drogës kanë arrestuar dy shtetas të huaj dhe një kosovar pasi dyshohen se janë të përfshirë në rastin e përpunimit të substancave narkotike.
Në një operacion të realizuar në fshatin Sllakovc të Gjilanit, Policia ka zbuluar një laborator klandestin droge. Operacioni u realizua si pjesë e një hetimi të gjatë nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore për Krime të Rënda. Hetimet kishin për objekt veprën penale “prodhimi dhe përpunimi i paautorizuar i narkotikëve”.
Gjatë aksionit policor, u arrestuan dy shtetas sllovakë, N.H. dhe L.A., që dyshohet se ishin ekspertë për përpunimin e substancave kimike narkotike, si dhe S.I., pronar i shtëpisë dhe shtetas kosovar. Ata ishin duke përpunuar substanca kimike dhe prodhuar drogë sintetike, e dyshuar të jetë “Methamphetamine”.
Në vendin e ngjarjes, Policia ka sekuestruar substanca kimike të lëngëta dhe të ngurta, pajisje për përpunimin e drogës dhe një veturë, si prova materiale. Po ashtu, janë kryer bastisje në katër lokacione të tjera, përfshirë një dhomë hoteli dhe disa banesa, por nuk janë gjetur prova të tjera të dyshuara. Të dyshuarve iu është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë dhe rasti vazhdon të hetohet.