Pesë persona janë arrestuar të enjten në dy raste të ndara që lidhen me krime ekonomike, sipas njoftimit të Policisë së Kosovës.
Në rastin e parë, janë arrestuar N.G., F.M. dhe I.K., pasi dyshohet se si zyrtarë të Federatës së Karatesë së Kosovës, kanë keqpërdorur mjete financiare nga Ministria e Kulturës. Dyshohet se me veprime kundërligjore në periudhën 2019-2023, ata kanë shkaktuar dëme prej 87.430 euro. Ata janë akuzuar për “mashtrim me subvencione”. F.M. dhe N.G. janë dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa I.K. është liruar në procedurë të rregullt.
Në rastin e dytë, janë arrestuar A.M. dhe A.A., pasi dyshohet se në Komunën e Obiliqit kanë ndarë subvencione në vlerë prej 9.900 eurosh për një klub basketbolli të cilin e dyshojnë si të jo aktiv. E dyshuara A.A., e cila ishte monitoruese e implementimit të subvencioneve, ka përpiluar raport të rrejshëm. Ata dyshohen për “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “konflikt interesi”. A.M. është dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa A.A. është liruar.